Hyrje

Të gjitha lavdërimet i përkasin Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin për Profetin më fisnik dhe të Dërguarin më të mirë, Profetin tonë Muhamedin , si dhe mbi gjithë shokët dhe familjen e tij!

Natyrisht, vitet e para të fëmijërisë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e vizionit të fëmijës për ekzistencën, me ç’rast botëkuptimet të cilat mbillen në mentalitetin e fëmijës gjatë kësaj faze llogariten si blloqet themelore të cilat më vonë do ta ndërtojnë personalitetin e njeriut në të gjitha aspektet, andaj ato duhet të jenë në përputhshmëri të plotë me kërkesat psikologjike, sociale dhe shpirtërore (fetare) që i ka fëmija. Ato janë të rëndësishme në ndërtimin e plotë të fëmijës, duke e ndihmuar atë që të niset me këmbëngulje për t’i kaluar me sukses peripecitë e jetës, për të vazhduar më tutje nëpër shtigjet e saj si një person i balancuar, produktiv dhe aktiv. Fëmija e ndërton modelin e tij personal të kësaj bote përmes asaj që sheh dhe dëgjon, duke bërë që çdo gjë që mbetet pas kësaj, prej jetës së tij, s’është tjetër veçse proces i gdhendjes dhe përmirësimit të këtij vizioni esencial, varësisht prej rrethanave nëpër të cilat ai kalon.

Në të vërtetë, burimi informativ në të cilin fëmija mbështetet gjatë kësaj periudhe janë prindërit e tij; ndaj vend-mbjellja dhe vend-formimi i mirëqenies së fëmijëve është mirëqenia e edukimit të prindërve, pasi ata janë përgjegjësit kryesorë për mësimin e fëmijëve të tyre. Për këtë arsye, Profeti , ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij.”Shënon Buhariu (2558) dhe Muslimi (1829). Kjo përgjegjësi i obligon ata që të jenë të përkushtuar dhe të zellshëm në edukim dhe mësim. Duke qenë se po jetojmë në një epokë kur pasimi i qejfeve dhe përhapja e dyshimeve janë shtuar, prindërve u bëhet obligim që të përpiqen me zell të madh rreth edukimit të fëmijëve të tyre, me një përpjekje të mbushur me seriozitet, vullnet dhe shpenzim i të gjitha

mundësive, ngaqë ndoshta një farë e mbjellë nga prindërit në shpirtrat e fëmijëve rezulton në punë të vazhdueshme në llogari të prindërve pas largimit të tyre nga kjo botë, duke u shndërruar fëmija në vepra të vazhdueshme, mirësia e të cilave vazhdon pas vdekjes, siç ka thënë Profeti : “...ose një fëmijë të mirë i cili lutet për të.”
Fëmijët janë prej amaneteve të Allahut Lavdiplotë për prindërit, andaj i Lartësuari ka thënë: “Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj...” (Kuran, 4:11). D.m.th.: o ju prindër, vërtet fëmijët tuaj janë pasuri që u është lënë amanet, Allahu ju ka bërë mbikëqyrës të tyre, ashtu që të veproni për të mirën e tyre në këtë dhe në botën tjetër, t’i mësoni dhe t’i edukoni ata, t’i pengoni ata nga gjërat që iu bëjnë dëm atyre, t’i urdhëroni ata që t’i binden Allahut dhe të jenë të devotshëm në vazhdimësi; siç ka thënë i Madhëruari: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët!” (Kuran, 66:6). Pra, fëmijët qenkan amanet që u është lënë prindërve të tyre, ndaj ata ose do ta çojnë në vend këtë përgjegjësi, ose ajo do t’i humbasë ata duke bërë që ata vetë ta meritojnë kërcënimin dhe dënimin, e kjo njëkohësisht është tregues se Allahu i Lartësuar është më i mëshirshëm me robërit e Tij sesa vetë prindërit, duke qenë se Ai i obligoi prindërit ndaj fëmijëve, me gjithë dhembshurinë e plotë që ata kanë ndaj tyre.Shiko: “Tejsir el Kerim er Rrahman fi tefsir kelam el Menan” të Abdurrahman es-Sa’dit, f. 166. Rrjedhimisht, kur edukimi i fëmijës brenda familjes të ketë marrë një pamje të mirë, atëherë ai ka mundësi që të bashkëveprojë me botën e jashtme në mënyrë të shkëlqyer, sepse çdo mangësi e rolit të familjes në edukimin e fëmijës dhe ngritjes së tij të kënaqshme në aspektin e besimit, në një të ardhme të afërt, do të rezultojë në paaftësinë e fëmijës për të poseduar një sjellje të lavdëruar. Edukimi nuk nënkupton vetëm përmirësimin e gabimeve, por ai është njëkohësisht proces i mësimit dhe mbjelljes së kuptimeve, si dhe i prezantimit të bazave të fesë dhe dispozitave të Sheriatit. Gjithashtu, është proces i përdorimit të mjeteve të llojllojshme që ndihmojnë në ndërtimin e botëkuptimeve dhe rrënjosjen e tyre në shpirtra. Pastaj vjen edukimi përmes modelit (të mirë), këshillës, tregimeve, etj.;Shiko: “Ed daveh meherat ue funun” të Shehata Sakër, f. 271. që rezultat i të gjitha këtyre të jetë një personalitet i balancuar, aktiv në jetë dhe në shoqëri.

Libri është i ndarë në dy pjesë: pjesa e parë ka të bëjë me edukimin rreth besimit, që përmban një mori bazash dhe kornizash të cilat do të jenë ndihmëse për prindërit në edukimin e fëmijëve të tyre - me lejen e Allahut -. E, sa i përket pjesës së dytë, ajo sillet rreth modeleve praktike të përgjigjeve ndaj pyetjeve të fëmijëve rreth besimit, e cila përmban një përmbledhje të pyetjeve më të shpeshta, duke marrë në konsideratë grupmoshat e ndryshme, në veçanti ato që kanë të bëjnë me gjashtë shtyllat e besimit, si dhe sqarimeve të mënyrës së qasjes ndaj pyetjeve si këto. Allahu është Ai që jep sukses, Ai udhëzon në rrugën e drejtë!

Abdullah bin Hamad Al Rakaf